Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin P. L., 61 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
V. K., 26 vjeç, dhe M. L., 22 vjeç, banues në Pojan, Maliq, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi në lagjen nr. 9, Korçë, kanë goditur me grushte, në fytyrë, dy shtetas;
D. Xh., pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje;
G. H., 54 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka shqetësuar dhe fyer nënën e tij, nëpërmjet celularit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, pasi shtetasi N. R., 58 vjeç, banues në Korçë, dyshohet se në gjendje të dehur, është vetëdëmtuar në dorë, me xham. Ai mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.