Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin Th. Zh., 59 vjeç, banues në Korçë, drejtues teknik në një fabrikë letre, pasi një punonjëse e fabrikës, duke punuar me një makineri, ka dëmtuar gishtat e dorës. E dëmtuara mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin K. P., 22 vjeç, banues në Ravonik, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Q. T., 58 vjeç, banues në Lushnjë, pasi prej muajit tetor 2024, i ka marrë me qira, një automjet, shtetasit A. Ç., 40 vjeç, por nuk i ka dhënë pagesën për qiranë dhe as nuk i ka kthyer automjetin.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, për një 17-vjeçar, pasi ka qëlluar me shuplakë një 16-vjeçar, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. F., 61 vjeç banues në Kakaç, pasi dyshohet se ka dëmtuar murin rrethues të një banese, për motive të dobëta.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.