Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Mërtish, ku humbi jetën shtetasi Xh. Sh., 32 vjeç, elektricist i OSHEE, dyshohet sepse ra në kontakt me rrymën, gjatë punës për riparimin e një linje elektrike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. H., 60 vjeç, banues në Gradishtë dhe A. P., 57 vjeç, banues në Babunjë. Këta shtetas, përkatësisht elektricistë të OST dhe OSHEE, dyshohet se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë, duke mos shkëputur energjinë elektrike në linjën që po riparonte 32-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim M. H., 29 vjeçe, pasi Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më datë 05.01.2025, në lagjen “Apollonia”, dyshohet se shtetasi K. B. (aktualisht në kërkim), në bashkëpunim me 29-vjeçaren, plagosi me armë zjarri, shtetasin G. H., 40 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. L., 58 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 66-vjeçar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.