Drejtoria Vendore e Policisë Fier, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

•Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një kafshë e egër (luan) që kafshon një shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për përcaktimin e përgjegjësisë dhe zbardhjen e rrethanave.

Në përfundim të këtyre veprimeve u identifikua shtetasi që kishte në pronësi kafshën, A. H., 52 vjeç, banues në fshatin Zharrëz, për të cilin, pas konsultimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”, pasi dyshohet se e ka mbajtur kafshën, në banesë, në kundërshtim me rregullat.

Shtetasi A. H. ka deklaruar se kafshën e ka gjetur në Lushnjë, në rrugë, 6 muaj më parë, kur ajo ishte e vogël dhe e ka mbajtur në banesën e tij, për disa kohë. Më tej, ai ka deklaruar se para 1 muaji e gjysmë, kafsha ka ngordhur.

Punohet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier:
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për një shtetase 16 vjeçe, banuese në Fier, pasi është konfliktuar fizikisht, me një bashkëmoshatare, në ambientet e shkollës ku ishin nxënëse;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit B. A., 54 vjeç dhe J. A., 38 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, një 27-vjeçar;
-shpallën në kërkim shtetasit B. B., 24 vjeç dhe M. I., 36 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se kanë goditur me grushte, një 40-vjeçar. Punohet për kapjen e 2 shtetasve.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin N. H., banues në fshatin Toshkëz, pasi zjarri që ky shtetas ka ndezur për të djegur mbeturina, ka dëmtuar disa rrënjë ulliri në pronësi të një shtetaseje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.