Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin N. D., 32 vjeç, i cili drejtonte automjetin që u përplas me automjetin që drejtonte shtetasi A. F., 66 vjeç. Si pasojë humbi jetën shtetasi F. A., 68 vjeç, pasagjer në automjetin me drejtues shtetasin A. F., si dhe u dëmtuan 2 drejtuesit e automjeteve dhe 3 pasagjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. B., 47 vjeç, pasi ka qëlluar me shuplakë, një 42-vjeçare, për motive të dobëta;
-2 shtetas të mitur (16 vjeç dhe 17 vjeç), pasi kanë goditur me grushte një 17-vjeçar, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi ka kanosur me fjalë një 16-vjeçar, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Ç. S., 51 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, pasi ka kanosur me fjalë një 47-vjeçare dhe i ka dëmtuar sahatin e ujit të pijshëm.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P. Z., 77 vjeç, pasi dje, në rrugën “Qemal Stafa”, me automjetin që drejtonte, ka përplasur lehtë shtetasin A. F., 18 vjeç.

Më datë 06.05.2025, ka kallëzuar shtetasja V. Z., 36 vjeçe, se më datë 16.04.2025, është larguar nga banesa, djali i saj 15 vjeç. Po punohet për gjetjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Informacione paraprake
-Gjatë natës, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në levanterinë e një hoteli në fshatin Llixha. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shtetasja H. J., 69 vjeçe, kliente në hotel, kur ka konstatuar flakët, ka tentuar të dalë me shpejtësi nga dhoma dhe për pasojë është dëmtuar në këmbë. Ajo po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë ligjor të rastit;
-Rreth orës 08:00, është marrë njoftim nga spitali rajonal i Elbasanit, se është transportuar me autoambulancë, në spital, shtetasi K. M., 57 vjeç, i cili ka dëmtime në kokë dhe në trup, të cilat dyshohet paraprakisht se janë shkaktuar nga aksident rrugor. 57-vjeçari aktualisht është në kujdesin e mjekëve. Një grup i posaçëm hetimor po punon për të sqaruar dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.