Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Kontrolle intensive për kapjen e personave në kërkim.
✅Në Burrel, kapet dhe arrestohet një shtetas i shpallur në kërkim për armëmbajte pa leje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
✅Në Bulqizë, kapet dhe arrestohet një 31-vjeçar, i cili teksa ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, u kap duke shitur lëndë narkotike canabis.
Shërbimet e Hetimit të Krimit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Komisariatet e Policisë Mat dhe Bulqizë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim apo të atyre që thyejnë masat e sigurisë, organizuan punën për kapjen e dy prej tyre.
Si rezultat, në qytetin e Burrelit është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi A.S., 23 vjeç, banues në Burrel.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga hetimet e thelluara ka rezultuar se 23-vjeçari, ndihmonte vëllanë e tij( i arrestuar në datë 2 dhjetor 2023 gjatë një operacioni policor), të kryente veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në zonat e Burrelit.
Në Bulqizë, u arrestua në flagrancë shtetasi G.L., 31 vjeç, banues në Bulqizë, pasi u kap jashtë banesës, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde narkotike e ndarë në doza gati për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.