Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasin G. S., i cili humbi jetën gjatë punës për rikonstruksionin e një objekti në lagjen “13 Shtatori”, ku e zuri poshtë një masiv guri që u shkëput nga zona e kalasë, informojmë se Komisariati i Policisë Berat kreu të gjitha veprimet procedurale për rastin dhe në përfundim të tyre arrestoi në flagrancë investitoren e objektit, shtetasen V. S., 45 vjeçe, si dhe shpalli në kërkim administratorin dhe drejtuesen teknike të firmës së ndërtimit që kryente rikonstruksionin, përkatësisht shtetasin Ç. H., 53 vjeç dhe shtetasen I. Ç., 41 vjeçe.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi G. S. punonte i paregjistruar në organet tatimore.
Ai e ka humbur jetën si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Gjithashtu, rezulton se këta 3 shtetas kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke fshehur identitetin e shtetasve përgjegjës për punimet.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Komisariati i Policisë Berat ndaloi shtetasin R. O., 60 vjeç, banues në Berat. Ky shtetas është proceduar në gjendje të lirë në datën 25.11.2024 dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, me vendimin e datës 16.12.2025, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ngacmim seksual”, sepse dyshohet se më datë 25.11.2024, ka ngacmuar seksualisht një 15-vjeçar.
Komisariati i Policisë Kuçovë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. L., 59 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur një 45-vjeçar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.