Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, për aksidentin e ndodhur tek rruga e Kuçovës, ju informojmë se Sektori i Qarkullimit Rrugor, arrestoi shtetasin A. M., 40 vjeç, banues në Berat, pasi duke drejtuar automjetin, aksidentoi me vdekje shtetasin B. D., 50 vjeç, i cili lëvizte me biçikletë.
Gjithashtu i njëjti Sektor referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin H. C., 54 vjeç, pasi në qytetin e Çorovodës, duke drejtuar automjetin ka përplasur duke i shkaktuar dëmtime të lehta, një shtetas të mitur 11-vjeçar.
Po ky Sektor referoi materialet në Prokuroi, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasin M. G., 15 vjeç, banues në Kuçovë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë në rrugën e Kuçovës, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi dhe pa targa.
Komisariati i Policisë Kuçovë, arrestoi në flagrancë shtetasen M. Gj., 52 vjeçe, banuese në Kuçovë, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së saj.
Stacioni i Policisë Dimal, referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin R. D., 30 vjeç, banues në Dimal, pasi ditën e djeshme, në rrugë, për motive të dobëta ka goditur me grusht në fytyrë shtetasin A. D., 28 vjeç, banues në Dimal.
Gjithashtu po nga këto shërbime u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi L. Sh., 50 vjeç, i cili pretendon se është dhunuar psikologjikisht dhe kanosur nga kunati dhe nipi i tij.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 18 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lëndë narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.