Drejtoria e Policisë Rrugore intensifikon kontrollet në të gjithë vendin, me objektiv rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore ka shtuar prezencën, monitorimet dhe kontrollet në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe në qendrat urbane, duke përdorur dronë, makina inteligjente dhe alkooltestues.
Si rezultat, gjatë 72 orëve të fundit, janë evidentuar në të gjithë vendin, nga monitorimi me dronë, 997 raste parakalimesh të gabuara.
Më tej, nga monitorimi me mjete inteligjente shpejtësimatëse, janë konstatuar 356 raste të qarkullimit me shpejtësi mbi normat e lejuara (2-3 herë më të lartë se norma e lejuar).
Gjithashtu:
-janë vendosur 1104 masa, për mosvendosje të rripit të sigurimit;
-janë evidentuar 786 raste të përdorimit të celularit, gjatë drejtimit të automjeteve;
-janë evidentuar 98 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e alkoolit, si dhe 10 raste të drejtimit të automjeteve, në gjendje të dehur.
Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në qarqe, do të vijojnë monitorimin në të gjithë vendin, duke përdorur aparate matëse të shpejtësisë, dronë, alkooltestues dhe pajisje të tjera inteligjente, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes maksimal, pasi siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët.
