Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka zhvilluar një vizitë pune në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ku është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu ka zhvilluar një vizitë pune në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ku është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Samedin Mehmeti.

Gjatë takimit, Veliu dhe Mehmeti kanë vlerësuar rezultatet e larta të bashkëpunimit mes dy institucioneve në të gjitha fushat e sigurisë dhe jo vetëm.

Qëllimi kryesor i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave dhe përvojave të deritanishme, procedurave të punës që përdorin policitë e dy vendeve, më konkretisht shkëmbimin e ekspertizës lidhur me sistemet elektronike, bazat e të dhënave në përdorim, si dhe çështje të tjera të rëndësishme të bashkëpunimit dhe ndërveprimit në mes të dy policive të të dyja vendeve.

Drejtuesit e Policive të dy vendeve u zotuan për vazhdim të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë, si dhe mbështetjen në fusha specifike në mes të dy institucioneve policore.