Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, takim prezantues me Atasheun policor të Ambasadës së Austrisë, në Tiranë, z. Andreas Nagy.
Gjatë takimit u çmuan partneriteti, mbështetja dhe besimi i agjencive ligjzbatuese austriake, te Policia e Shtetit, për aspekte si:
•krijimi dhe funksionimi i Policisë Alpine;
•veprimtaria e strukturave të Policisë, gjatë sezonit turistik;
•ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore, kryesisht në fushën e hetimit të krimit kibernetik;
•shkëmbimi i praktikave më të mira për gjurmimin e aseteve të krimit;
•modernizimi i Sektorit të Daktiloskopisë dhe AND-së, të Institutit të Policisë Shkencore.
Drejtori i Përgjithshëm falënderoi z. Nagy, për vizitën dhe e garantoi atë, për vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit, për të kontribuuar aktivisht në operacione policore të përbashkëta, me partnerët austriakë dhe me partnerët e tjerë europianë.
Ndërkaq, gjatë takimit, z. Nagy i dorëzoi Drejtor Prodës, urimin e Drejtorit të Policisë austriake, Dr. Franz Ruf, për marrjen e detyrës. Gjithashtu, theksoi se misioni i tyre është të përqendrojnë të gjitha kapacitetet policore kombëtare dhe ndërkombëtare, për të parandaluar dhe goditur krimin e organizuar ndërshtetëror.