Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i akordon “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” Drejtorit të Departamentit për Shërbimet Mbështetëse dhe Koordinatorit në Sektorin e Planifikimit Strategjik dhe Botimeve në DPPSH.
Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë një ceremonie, duke respektuar masat anticovid, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i ka dorëzuar Drejtorit të Departamentit për Shërbimet Mbështetëse Drejtues i Lartë Theodhori Gravani, Certifikatën për Shërbime të Dalluara “Për merita të veçanta, profesionalizmin e treguar në përmbushjen e detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, në shërbim të ristrukturimit organizativ dhe modernizimit të gjithanshëm të organizatës së Policisë së Shtetit”.
Gjithashtu, Drejtor Veliu i ka dorëzuar Koordinatorit në Sektorin e Planifikimit Strategjik dhe Botimeve në DPPSH Kryekomisar Arben Nasufi, Certifikatën për Shërbime Të Dalluara “Për kontribut të çmuar të dhënë ndër vite, në rritjen e standardeve të rendit dhe të sigurisë publike, si dhe në procesin e hartimit të dokumenteve strategjike të Policisë së Shtetit”.
Drejtori i Përgjithshëm Veliu ka falënderuar z. Gravani dhe z. Nasufi për profesionalizmin e tyre dhe kontributin e dhënë në rritjen e standardeve dhe modernizimin e Policisë së Shtetit.
Gravani dhe Nasufi gjatë fjalës së tyre kanë falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm për vlerësimin e kontributit që ata kanë dhënë në Polici gjatë karrierës së tyre, si dhe kanë falënderuar kolegët për mbështetjen.