Pyetje: Z. Nano, cili është qëllimi i vizitës tuaj sot në qarkun e Gjirokastrës?
Nano: Përshëndetje! Sot kemi ardhur në Gjirokastër, me propozim dhe iniciativë të Policisë së Shtetit, me miratim të Këshillit Bashkiak, me mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Gjirokastër, 4 rrugë të qytetit të Gjirokastrës janë emërtuar me emrat e Dëshmorëve të Policisë të rënë në krye të detyrës. Kjo është një iniciativë e jona që po bëhet realitet në disa qarqe të vëndit, për t’i dhënë rëndësinë që meritojnë dëshmorëve të kohëve moderne, të cilët kanë dhënë jetën për të mbrojtur jetë. Kjo do të vazhdojë dhe fatmirësisht kemi gjetur mbështetjen e disa prej bashkive të vëndit, ku edhe përceptimi i publik ka qënë shumë pozitiv në këtë drejtim.
Pyetje: Z. Nano, sot ndodheni në një pikë kufitare në jug të vendit, ndërkohë që një pikë tjetër, në Kukës, ka pasur probleme. Keni një mesazh për këtë?
Nano: Sot, është bërë një njoftim zyrtar nga SPAK dhe ShÇBA lidhur me një operacion dhe ekzekutimin e disa masave të sigurisë për punonjës policie dhe shtetas, për shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale. Policia e Shtetit në këtë operacion është angazhuar që në fillim të këtij hetimi duke ndihmuar dhe duke qenë në krah të agjencive të tjera ligjzbatuese pasi, ashtu siç unë e kam përmendur, që në fillim të marrjes së detyrës nga ana ime kam synuar dhe i qëndroj shumë fort pastërtisë së figurës së punonjësve të Policisë. Kërkojmë një Polici me integritet të lartë dhe ata punonjës policie të cilët nuk e gjejnë dot vetën për të bërë realisht dhe me ndërshmëri punën duhet të largohen nga forca e Policisë së Shtetit. Nuk mund të bëhet pis gjithë kjo forcë Policie me njerëz të përkushtuar nga disa elemente të cilët tradhëtojnë uniformën, shokët dhe kolegët në punë. Unë inkurajoj të gjitha agjencitë ligjzbatuese të vazhdojnë me këtë ritëm verifikimin, marrjen e informacionit dhe hetimet ndaj çdo punonjësi policie që abuzon me detyrën.
Pyetje: Z. Nano jemi në vigjilje të Pashkëve. Cilat janë masat që ka marrë konkretisht Dogana e Kakavijes, për lehtësimin e emigrantëve që duan të festojnë Pashkët në vendin e tyre?
Nano: Ky është edhe një motiv tjetër pse jemi sot këtu bashkë me Drejtorin e Kufirit dhe Emigracionit Gjirokastër dhe Drejtorin Vendor të Policisë Gjirokastër. Do t’ju flas për masat e Policisë sepse masat e doganave i ka Drejtoria e Doganave. Jemi në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur të gjithë qytetarëve që do të përdorin Pikën e Kalimit Kakavije, për të hyrë dhe për të dalë, për të kaluar një atmosferë sa më festive dhe për të qënë në shërbim të tyre, për t’iu gjendur me lehtësirat që duhen dhënë në këtë drejtim, me qëllim që atmosfera festive të mos prishet në hyrje apo në dalje të Republikës së Shqipërisë. Jemi plotësisht në gatishmëri të plotë për ta përballuar nëse do të ketë fluks në këtë pikë kalimi apo në çdo pikë tjetër kalimi kufitar. Faleminderit!