Në takim ishin të pranishëm znj. Ermonela Xhafa, Komisionere e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës dhe znj. Ermonela Ruspi, Komisionere e Seksionit të Veçantë, pranë Avokatit të Popullit.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit midis dy institucioneve si dhe mbrojta e garantimi i të Drejtave të Njeriut në këndvështrimin e organeve ligjzbatuese.
Gjatë takimit, i cili u zhvillua në një frymë të lartë bashkëpunimi e mirëkuptimi, u diskutua lidhur me zbatimin e procedurave standarte nga ana e Policisë gjatë shoqërimit, ndalimit apo arrestimit të shtetasve në këto ambiente, kushtet dhe trajtimin e tyre brenda komisariateve, problematikat infrastrukturore dhe materiale të tyre, trajtimin shëndetësor të të ndaluarve/shoqëruarve, respektimin dhe pajisjen me Kartën e të Drejtave të Njeriut për të gjithë personat e ndaluar/shoqëruar, problematika të ngritura edhe në raportin e CPT-së gjatë vizitës së tij inspektuese më të fundit në Shqipëri në nëntor të vitit 2018.
Gjithashtu u diskutua mbi trajtimin e ankesave individuale të shtetasve sa i përket veprimeve/mosveprimeve të punonjësve të policisë si dhe rekomandimet përkatëse për përmirësimin e punës në këtë drejtim.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano shprehu gatishmërinë për rritjen e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe dhënies të një rëndësie të veçantë rekomandimeve që dërgon Avokati i Popullit pranë organeve të Policisë së Shtetit si dhe trajtimit me profesionalizëm e paanësi të ankesave që vijnë në Policinë e Shtetit për punonjës të Policisë.
Avokatja e Popullit znj.Erinda Ballanca falenderoi Drejtorin Nano për frymën bashkëpunuese dhe gatishmërimë e përkushtimin e tij personal në ndjekjen me objektivitet të çdo ankese të adresuar me qëllim zgjidhjen e tyre.

