Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti në një takim miqësor, drejtuesit e organizatës së policisë amerikano-shqiptare

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shqëruar nga Zv/drejtori i Përgjithshëm, Drejtori i Antiterrorit dhe Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, priti në një takim miqësor, drejtuesit e organizatës së policisë amerikano-shqiptare me qendër në New Jersey/New York.
Organizata e përbërë nga punonjës policie shqiptarë që aderojnë në të gjitha postet në agjencitë ligjzbatuese amerikane është krijuar për të mbështetur e suportuar Policinë e Shtetit shqiptar në Policinë amerikane dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në SHBA.
Drejtor Veliu falënderoi drejtuesit e organizatës për mbështetjen që po i japin Policisë së Shtetit dhe i përgëzoi ata dhe nëpërmjet tyre të gjithë pjesëtarët e tjerë të organizatës, për përfaqësimin dinjitoz dhe ecurisë në karrierë, duke u përfaqësuar deri në piramidën drejtuese të policisë amerikane.
Ndërkohë, Elton Shametaj, presidenti i organizatës theksoi: “Ndihemi krenarë që jemi shqiptarë dhe që përfaqësojmë kombin tonë në policinë amerikane. Është obligim e detyrim moral të kontribuojmë për të mbështetuar Policinë e Shtetit, e cila vitet e fundit ka pësuar një ndryshim rrënjësor, tashmë radhitet si e barabartë mes policive homologe”.
Shametaj shtoi se Policia shqiptare shihet si një faktor kryesor në krijimin e një ambienti të sigurt jo vetëm në vend, por edhe si një promotor i paqes dhe sigurisë në nivel ndërkombëtar.