Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i akordon certifikatë “Për shërbime të dalluara”, Drejtues Besnik Bakiut

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i akordon certifikatë “Për shërbime të dalluara”, Drejtues Besnik Bakiut, me motivacionin “Për merita të veçanta, shërbim të dalluar në mënyrë të vazhdueshme, rezultate të larta në punë, për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në një ceremoni me pjesëmarrje të kufizuar për të respektuar masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Drejtori i Përgjithsëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i ka dorëzuar certifikatën “Për shërbime të dalluara”, Besnik Bakiut, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në strukturat e Policisë së Shtetit.

Drejtor Veliu ka theksuar se duhet vlerësuar puna e ndershme, profesionalizmi dhe kontributi në të mirë të organizatës. Një shembull i tillë është edhe kolegu ynë Besnik Bakiu, i cili ka një karrierë të pastër mbi 30-vjeçare në strukturat e Policisë së Shtetit.

Gjatë ceremonisë, Besnik Bakiut i është dorëzuar nga Drejtori i Burimeve Njerëzore Nikollë Rica “Certifikata e Mirënjohjes” e akorduar nga Kryetari i Bashkisë Berat Ervin Demo, me motivaconin “Për kontribut të vyer të dhënë ndër vite në Policinë shqiptare si studiues, hulumtues dhe analist i çështjeve të rëndësishme historike që lidhen me ruajtjen e pavarësisë së kufijve shtetërorë, aktivitetin e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës, çështjeve që lidhen me ruajtjen e integritetit të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe punonjësve të sistemit të drejtësisë, si dhe çështjeve që lidhen me policinë në komunitet, sigurinë në shkolla, diversitetitn dhe barazinë gjinore”.

Besnik Bakiu gjatë fjalës së tij ka falënderuar Drejtor Veliun, për vlerësimin dhe ceremoninë e organizuar, kolegët e tij me të cilët ka punuar ndër vite, si dhe ka premtuar se kontributi i tij në të mirë të organizatës do jetë përherë e më shumë.

Drejtues Besnik Bakiu ka punuar fillimisht në Komisariatin e Policisë Pogradec, më pas në Repartin 324 Tiranë, në strukturat e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, në Akademinë e Sigurisë dhe nga janari i vitit 2015 e në vazhdim, në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në të gjitha detyrat që ai ka kryer është dalluar për aftësi profesionale, efektivitet dhe korrektësi në kryerjen e detyrës. Bakiu ka marrë pjesë në shumë kualifikime, specializime dhe trajnime, brenda dhe jashtë vendit, të organizuara nga misionet policore PAMECA dhe ICITAP, duke përfaqësuar denjësisht Policinë shqiptare.