Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka inspektuar ditën e sotme, procesin e konkurrimit për Patrullë të Përgjithshme, në fazën e parë, atë të teorisë. Nano ka inspektuar disa procese të kësaj faze dhe ka përgëzuar administratorët e procesit, për korrektësinë dhe transparencën.
Drejtor Nano ka përshëndetur konkurrentët që po zhvillonin testimin dhe i ka falënderuar ata, për dëshirën dhe aplikimin për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, si dhe u uroi atyre suksese, duke i garantuar se i gjithë procesi është transparent dhe monitorohet nga disa struktura të Policisë së Shtetit, si dhe nga SHÇBA.
Nano: “Pavarësisht dinamikës së punëve dhe ngarkesës së përditshme, unë e gjeta kohën, pasi e quaj shume të domosdoshme që të vija para jush dhe të thoja dy fjalë:
Në radhë të parë faleminderit që keni pranuar dhe keni vendosur që të na bashkoheni, fillimisht në testim, për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Unë paraprakisht ju uroj të gjithëve suksese dhe ju garantoj që procesi do të jetë transparent dhe fitoftë më i miri dhe të fitojnë ata që e meritojnë, kjo për të ecur dhe për të bërë një ndryshim në Policinë e Shtetit, për të përmirësuar radhët, cilësinë dhe profesionalizmin në Policinë e Shtetit.
Jam njohur fillimisht me fazën e parë të testimit. Stafi që monitoronte gjithë testimin tuaj, më ka bërë prezent situatën paraprake, nuk ka patur asnjë problem dhe mua për këtë më vjen mirë, deri më tani.
Paralelisht me strukturat policore ka dhe struktura të tjera që monitorojnë gjithë procesin, ndaj jua rithem me bindje që do të jetë një proces shumë transparent për gjithësecilin nga ju dhe për ne. Kjo na e bën punën më të lehtë për të përzgjedhur ata kandidatë që vërtet arrijnë kuotën e vendosur për t’u bërë pjesë ose për të kaluar në fazën tjetër të testimit.
Ju uroj të gjithëve suksese dhe ashtu siç e kam unë personalisht sfidë drejtimin e Policisë së Shtetit dhe çuarjen përpara të të gjitha projekteve aktuale të Policisë dhe zhvillimin apo fillimin e projekteve të reja, të cilat do të jenë në favor në radhë të parë të të gjithë punonjësve të Policisë, për tua bërë jetën dhe punën më të lehtë, po ashtu edhe krijimin e besimit te komuniteti, gjë që është çelësi kryesor për suksesin tonë.
Ju inkurajoj të jeni të fokusuar, hiqini emocionet, jepni më të mirën tuaj, për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Faleminderit!
Ju uroj suksese, punë të mbarë edhe shpresoj të shihemi në fazat e tjera të konkurrimit.
Mirupafshim!