Drejtori i DVP Durrës, Vilson Bala, deklaratë për shtyp

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues i Parë Vilson Bala,
Konferencë për shtyp për arrestimin e ish-Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe finalizimin e një operacioni për kapjen e personave me rrezikshmëri dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri.

Përshëndetje

Jam sot këtu, së bashku me Zëvendësdrejtorin për Rendin Çlirim Nela dhe Shefin e Komisariatit të Policisë Durrës Algert Gjonaj, për të bërë me dije veprimet e strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore që i ngarkon ligji për parandalimin e ndërtimeve pa leje, evidentimin e atyre që janë ndërtuar më parë pa leje, kapjen dhe arrestimin e pronarëve apo administratorëve që kanë kryer apo guxojnë të kryejnë ndërtime pa leje.

Në këtë kuadër, strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H.

Në vijim të punës për lokalizimin e ndërtimeve pa leje, identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës, gjatë verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe ato të IKMT-së, ky shtetas u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”.

Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për veprat penale: “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull.

Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës.

Në këtë frymë të zbatimit të ligjit, është duke vijuar aksioni për lirimin e hapësirave publike. Koordinimi i veprimeve mes strukturave të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, IMT-së dhe IKMT-së po jep rezultate çdo ditë në këtë drejtim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në telegramin e dërguar për strukturat e Policisë në qarqe, ka kërkuar intensifikimin e veprimeve të strukturave të Policisë për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe dërgimin para ligjit të të gjithë atyre që tentojnë të kryejnë ndërtime pa leje, të zaptojnë hapësira publike, atyre që shkaktojnë zjarrvënie, ndotje akustike apo që bllokojnë qarkullimin e automjeteve të emergjencës.

Përfitoj nga rasti të ftoj qytetarët e qarkut Durrës të denoncojnë pranë strukturave të Policisë çdo paligjshmëri, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet, çdo neglizhencë apo shpërdorim të detyrës nga punonjës policie apo të kujtdo institucioni shtetëror që ka për detyrë të ofrojë shërbim qytetarëve dhe të zbatojë ligjin, duke i garantuar se reagimi i strukturave të Policisë do jetë i menjëhershëm, konform ligjit, ndaj çdo shqetësimi që do adresohet nga ata.

Po në kuadër të zbatimit të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në vijim të punës së pandërprerë dhe goditjeve të njëpasnjëshme për këtë qëllim, mbrëmjen e djeshme strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun”.

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. M., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.

39-vjeçari A. M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj.

Angazhimi dhe përkushtimi maksimal i strukturave vendore të Policisë së qarkut Durrës, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, si dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka bërë të mundur që sezoni turistik në qarkun Durrës të vijojë pa asnjë problem për sa i përket rendit dhe sigurisë.

Përfitoj nga rasti t’i garantoj qytetarët e qarkut Durrës se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës vijojnë me intensitet veprimet hetimore për zbardhjen e çdo ngjarjeje kriminale të ndodhur më parë, kapjen e personave në kërkim dhe për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.

Faleminderit.