Drejtori i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Nikoll Rica, vlerësohet me Medalje Nderi nga Ministri i Brendshëm Bledar Çuçi

Gjatë ceremonisë, Nikoll Rica është suprizuar nga kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë dhe nga kryetari i Bashkisë Lezhë, të cilët i kanë dozëzuar titullin “Nderi i Qarkut Lezhë”, të akorduar nga Këshilli i Qarkut Lezhë.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua një ceremoni, gjatë së cilës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano i ka dorëzuar z. Nikoll Rica, Medaljen e Nderit, të akorduar nga Ministri i Brendshëm, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, për zhvilllimin e vazhdueshëm të standardeve policore, në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka vlerësuar kontributin, ndershmërinë dhe përkushtimin e zotit Rica, gjatë gjithë karrierës së tij në Polici, duke theksuar se Nikolla është një shembull që duhet ndjekur nga brezat e rinj në Polici.

“Falë aftësive të tij profesionale, menaxhese, drejtuese dhe organizuese, ai ka dhënë një kontribut të çmuar në menaxhimin me sukses të burimeve njerëzore në Ministrinë e Brendshme dhe në Policinë e Shtetit”, – është shprehur Nano për Drejtuesin e Parë Nikoll Rica, i cili për 7 vitet e fundit të karrierës së tij, ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Burimeve Njerëzore në DPPSH.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë, z. Agron Ivani, i cili ka suprizuar zotin Rica, duke i dorëzuar titullin “Nderi i Qarkut Lezhë”, me motivacionin “Për kontributin e veçantë në ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, për vlerat profesionale dhe si drejtues i përkushtuar, me performancë e integritet të lartë në kryerjen e të gjitha detyrave e anagazhimeve të ndërmarra në më shumë se katër dekada”.

Më tej, në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Lezhë ka vlerësuar kontributin e zotit Rica në Polici dhe rolin si intelektual në favor të qarkut Lezhë. Zoti Ndreu u shpreh se kjo ceremoni ka shumë vlerë për punonjësit e Policisë, që mundi dhe kontributi i punonjësve të ndershëm të Policisë së Shtetit të vlerësohet. Ai falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm z. Nano, për standardin e vendosur në këtë drejtim.

Në fund të ceremonisë, Nikoll Rica, i emocionuar nga vlerësimet, ka theksuar se në rrugën e jetës njeriu ndihet me fat kur krijon familjen biologjike, por ndihet me fat edhe kur është pjesë e një familjeje të madhe siç është Policia e Shtetit, punonjësit e së cilës sakrifikojnë shumë nga vetja dhe familja e tyre, për të mirën e shoqërisë dhe të vendit.