Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Policia e Divjakës vë në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr.”
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë policore, bënë lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit B. M., 45 vjeç, banues në Çermë e Sipërme, Divjakë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin e datës 12.05.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ky shtetas dyshohet se në datën 04.08.2021, ka djegur me lëndë djegëse autobusin në pronësi të shtetasit S. S.
Gjithashtu, në bashkëpunim edhe me shërbimet e Policisë Vlorë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim G. L., 33 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin e datës 11.05.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ky shtetas, në datën 09.03.2022, në bashkëpunim me shtetasin K. T., 25 vjeç, banues në Vlorë (i arrestuar në flagrancë), ka djegur automjetin në pronësi të shtetasit J. Gj., 57 vjeç, banues në Divjakë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.