Takimi online u zhvillua në bashkëpunim me Komisionin Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), me Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipërisë, me synim promovimin e Diversitetit dhe Barazisë në Shqipëri, në kuadrin e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Europës “Lehtësia horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”.
“Të nderuar pjesëmarrës,
Policia e Shtetit, në kuadër të rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian Kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), ka realizuar dhe po vijon detyrimet përsa i përket respektimit të të drejtave ligjore, konform Ligjit të Policisë së Shtetit si dhe për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Nisur nga përpjekjet e vazhdueshme në përmirësim të kuadrit ligjor, është treguar një vullnet pozitiv me synim garantimin sa më efektiv të parimit të barazisë dhe mbrojtjen e qytetarëve nga diskriminimi individual dhe i strukturuar, në të gjitha institucionet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e veçanërisht në Policinë e Shtetit.
Në fakt, sfidat janë të gjithanshme dhe kërkojnë një aktivizëm të të gjithë aktorëve publikë dhe shoqërorë në promovimin, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave sociale, si instrumente vitale në gëzimin me dinjitet të të gjitha të drejtave të njeriut të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventave Ndërkombëtare.
Policia e Shtetit, në vazhdimësi ka marrë masa për të garantuar liritë dhe të drejtat themelore të personave të privuar nga liria në ambientet e D.V.P dhe Komisariateve të Policisë, konform përcaktimeve në konventat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut, të Kushtetutës, Kodit të Procedurës Penale dhe akteve të tjera nënligjore, për të gjithë shtetasit por në veçanti të personave të arrestuar/ndaluar.
Brenda numrit të këtyre të fundit, në veçanti për personat e ndaluar apo arrestuar që u përkasin komuniteteve të cënueshme si Romë, Egjiptianë, LGBTI, etj., u garantohen dhe respektohen të drejtat ligjore në mënyrë të barabartë, të njëllojtë dhe pa diskriminim,. Sipas nenit 115 të Ligjit 108/2014 për Policinë e Shtetit, i ndryshuar, atyre u njihet dhe u garantohet ushtrimi i të drejtës për të bërë/paraqitur kërkesë / ankesave lidhur me trajtimin që u bëhet në ambientet e policisë, kushtet e qëndrimit, veprimet e sjelljet e personelit policor, shkeljet e cënimet e të drejtave që mund t’u bëhen nga personeli policor etj.
Në përmbushje të këtij detyrimi, janë përcaktuar rregullat dhe procedurat standarde për marrjen, evidentimin, trajtimin/zgjidhjen e kërkesë/ankesave të këtyre personave, të cilat janë pjesë e Procedurës Standarte të miratuar me Urdhrin nr. 925, datë 18.07.2019 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Për periudhën 2018 dhe 2019, nga ana e strukturave të rendit publik, nuk janë evidentuar ankesa të bëra nga anëtarë të këtyre komuniteteve në adresë të punonjësve të policisë për qëndrime apo sjellje jo dinjitoze; sjellje e qëndrime diskriminuese apo incidente të tjera, ushtrim dhune të motivuara nga “urrejtja”, “ksenofobia” për këto komunitete.
Me qëllim intensifikimin e masave dhe zbatimit të detyrave për respektimin dhe garantimin e plotë të të drejtave të këtyre komuniteteve evidentimin dhe trajtimin e ankesave për shkelje e cënim të të drejtave të njeriut, vënien para përgjegjësisë të punonjësve të policisë që diskriminojnë dhe kryejnë veprime/qëndrime në shkelje të të drejtave të komuniteteve të cënueshme, janë përgatitur dhe dërguar për zbatim, disa akte administrative të Drejtorit të Përgjithëm të Policisë së Shtetit.
Lidhur më këto rekomandime, Policia e Shtetit, ka realizuar detyrimet e Planit Kombëtar të Veprimit mbi personat LGBTI në Republikën e Shqipëri 2016-2020. Për këtë, detyrimet janë kryer sipas qëllimeve strategjike dhe objektivave mbi eleminimin e të gjitha formave të diskriminit ndaj komunitetit LGBTI. Policia e Shtetit, ka përmirësuar sistemin kompjuterik të përpunimit të të dhënave statistikore, ku për çdo vepër të Kodit Penal, gjenerohet e dhëna e motivit për shkak të orientimit seksual.
Është garantuar mbrojtja e personave LGBTI nga diskriminimi dhe dhuna për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor. Krimin me bazë urrejtjen e gjejmë të parashikuar në nenet 74/a, 84/a, 119/a, 119/b, 265 e 266 të Kodit Penal, sa kohë që nuk është një vepër penale e parashikur më vete.
Policia e Shtetit nga viti 2018, 2019 dhe 2020 është përfshirë në Projektin për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Diskriminimit bazuar në Orientimin Seksual dhe Identitetin Gjinor, program Horizontal Facility të Këshillit të Europës për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku aktualisht ne kemi qenë përfitues të manualit për Hetimin e Krimeve të Urretjes ndaj Personave LGBTI.
Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë, ka rifreskuar modulet e trajnimit për punonjësit e policisë mbi çështjet e Komunitetit LGBTI. Këto module janë rifreskuar bazuar në aktet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe kundër diskriminimit dhe veçanërisht duke u bazuar në Manualin e Këshillit të Europës “Të hetojmë krimet e urretjes me persona LGBTI të përfshirë”.
Këto kurrikula aktualisht po ofrohen dhe adaptohen për trajnime në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit për punonjësit e Gardës së Republikës, SHÇBA si dhe për punonjësit e Policisë Ushtarake.
Shpreh besimin e plotë në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e të gjithë aktorëve dhe subjekteve në eleminimin e pabarazive dhe luftën kundër diskriminimit, duke garantuar që Policia e Shtetit, do të jetë rigoroze në plotësimin e detyrimeve në këtë sfidë ligjore, publike dhe qytetare”