Dimal
U konfliktuan për motive të dobëta, me një 22-vjeçar, dhe më pas dogjën një orendi, në ballkonin e banesës së tij, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër).
Njëri prej vëllezërve kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Procedohet penalisht edhe 22-vjeçari i përfshirë në konflikt.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal kanë arrestuar shtetasit:
H. D., 44 vjeç, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”;
A. D., 50 vjeç, banues në Dimal, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se gjatë kohës që kanë qenë duke peshkuar, janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, me shtetasin D. B., 22 vjeç. Pas konfliktit, shtetasit H. D. dhe A. D. (vëllezër) kanë shkuar në banesën e shtetasit D. B. dhe kanë djegur një divan në ballkonin e banesës së tij.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. B., 22 vjeç, banues në Dimal, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.