Dibër – Procedohen penalisht 3 autorë zjarrvëniesh

Shërbimet për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër dhe Mat, kanë vijuar me intensitet veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien para ligjit të autorëve të zjarrvënieve, të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.

Si rezultat, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për 3 shtetas, të dyshuar si autorë të zjarrvënieve, konkretisht;

Në Dibër; Procedohen penalisht shtetasit;
-A.S., 52 vjeç, banues në fshatin Shumbat, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në këtë fshat dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke prej 2 hektarë me shkurre dhe bimësi.
-S.S., 61 vjeç, banues në fshatin Erebarë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në këtë fshat dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke prej 3 hektarë me shkurre dhe bimësi.

Në Mat; Procedohet penalisht shtetasi B.H., 54 vjeç, banues në fshatin Suç, pasi ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe zjarri ka dalë nga kontrolli ku si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke rreth 2 hektarë me bimësi.

Policia e Dibrës apelon për të gjithë banorët, dhe ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos ndezin zjarr, sepse do të përballen me forcën e ligjit. Ftojmë qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.

Policia e Shtetit është e vendosur të çojë para drejtësisë të gjithë ata që, me dashje apo nga pakujdesia, djegin pyje, kullota, prona private dhe rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, punonjësve të policisë, zjarrfikësve dhe të gjithë të angazhuarve në fikjen e zjarreve.