Finalizohet me sukses operacioni policor “Maqellara”.
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale dhe hetimore, Policia identifikoi dhe vuri në pranga 4 shtetas si autorë të dyshuar, si dhe shpalli në kërkim 2 të tjerë, bashkëpunëtorë në vjedhje.
Policia e Dibrës, pas njoftimit të marrë se në fshatin Cernem, Maqellarë, në orët e vona të datës 22 shkurt, disa persona kishin hyrë në banesën e shtetasit R. D. dhe nëpërmjet dhunës kishin marrë sende me vlerë, menjëherë ngriti një grup të posaçëm hetimor, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, grumbullimit të provave ligjore në vendngjarje, kontrolleve të shumta dhe informacioneve të marra në rrugë operative dhe në kuadër të operacionit policor i koduar “Maqellara”, u bë e mundur që në një hark kohor të shkurtër, të zbardhej ngjarja dhe të viheshin në pranga 4 shtetas të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje, konkretisht:
A. V., 23 vjeç, S. C., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç dhe Z. E., 25 vjeç, banues në Njësinë Administrative Maqellarë, Dibër.
Si dhe u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve K. B., 35 vjeç dhe A. G., 30 vjeç, bashkëpunëtorë në vjedhjen me dhunë.
Si rezultat i veprimeve profesionale është bërë e mundur gjetja e disa provave materiale të vjedhura në banesën e shtetasit R. D., të fshehura në banesën e autorit të dyshuar S. C.
Materialet do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.