Dibër – Ndezën zjarr për të pastruar tokën e tyre dhe si pasojë u dogjën rreth 4 ha tokë me bimësi, procedohen penalisht 2 shtetas

Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit Q.E., 75 vjeç dhe M.E., 71 vjeç, banues në Maqellarë.

Këto shtetas kanë ndezur zjarr me qëllim pastrimin e tokës së tyre në fshatin Dovalan, dhe si pasojë e erës, zjarri ka dalë nga kontrolli duke djegur një sipërfaqe toke prej 4 hektarësh me bimësi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon, për të gjithë banorët dhe veçanërisht për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.