Dibër/Kreu parakalim të rrezikshëm në rrugën e Arbrit, gjobitet drejtuesi i automjetit

Dibër

Kreu parakalim të rrezikshëm në rrugën e Arbrit, në fshatin Xibër, ndëshkohet me masë administrative drejtuesi i automjetit.

Bazuar në pamjet filmike të dërguara nga një qytetar në adresën zyrtare të rrjetit social ‘Facebook’ të DVP Dibër, në të cilat shfaqet një automjet që kryen parakalim të rrezikshëm, shërbimet e Policisë Rrugore të Dibrës kanë kryer menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.

Nga verifikimet e kryera, u identifikua drejtuesi, njëkohësisht pronari i automjetit, shtetasi A.K., banues në Bulqizë.

Në zbatim të nenit 146 të Kodit Rrugor, ky shtetas u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë, për shkeljen e kryer.

Policia Rrugore e Dibrës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë, duke i garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje me ligjin.