Dibër/Bulqizë/Mat – Intensifikohen kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që mbajnë armë zjarri dhe armë të ftohta pa leje

Intensifikohen kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që mbajnë armë zjarri dhe armë të ftohta pa leje.

Në Bulqizë është vënë në pranga 1 shtetas, për kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Në Mat është vënë në pranga 1 shtetas, për përndjekje, si dhe është kapur 1 person i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.

Goditet në Maqellarë, një rast i ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, procedohet penalisht pronari i lokalit.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 4 armë të ftohta (thika) dhe dy makineta të lojërave të fatit.

Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, parandalimin e konflikteve, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë apo mbajnë armë zjarri në banesë apo lëndë narkotike, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatet në varësi të saj, kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin e qarkut.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Inspektoratin e Autoritetit Kombëtar të Lojërave të Fatit, në një lokal në Maqellarë, kanë gjetur e sekuestruar dy pajisje elektronike, me të cilat dyshohet se ushtrohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit. Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi I. Gj., 54 vjeç, banues në Maqellarë, për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara”.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, gjatë operacionit Policor të koduar “Gjoçaj”, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim B. P., 35 vjeç, banues në Gjoçaj, Mat. Ky shtetas është shpallur në kërkim në vitin 2020, i dyshuar se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Në Bulqizë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, kanë vënë në pranga shtetasin K. T., 58 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 2 djemtë e tij, shtetasit F. T. dhe A. T., banues në fshatin Zogje. Policia gjatë kontrollit në banesë të shtetasit K. T., gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe 4 armë të ftohta (thikë).

Dy vëllezërit F. T. dhe A. T., janë konfliktuar me dy shtetas të tjerë dhe kur ka shkuar punonjësi i Policisë së zonës për të sqaruar rrethanat e konfliktit, babi i dy vëllezërve ka kundërshtuar me dhunë punonjësin e Policisë.

Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat është bërë kapja dhe arrestimi i shtetasit E. D, 26 vjeç, banues në fshatin Baz, pasi ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.