Dhërmi – U konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë të lartë, pas orarit të lejuar, procedohet penalisht

Dhërmi, Himarë

U konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë mbi normën e përcaktuar, pas orarit të lejuar, procedohet penalisht administratori i subjektit.

Sekuestrohen pajisjet muzikore.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të komisariateve në varësi vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun Vlorë, për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, duke monitoruar subjektet që vijojnë me organizimet e aktiviteteve me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje dhe/ose në kundërshtim me normat e lejuara të vendosura nga organet kompetente.

Si rezultat i kontrolleve, në Dhërmi u konstatua një subjekt (lokal) ku gjenerohej muzikë mbi normën e lejuar, pas orarit të përcaktuar për mbyllje, duke prishur qetësinë publike. Pajisjet muzikore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, për administratorin e subjektit, shtetasin E. A., 42 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.