Devoll
Zbulohet një lokal në qytetin e Bilishtit, i vënë në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Vihen në pranga administratori i lokalit dhe menaxheri, i cili ishte punësuar në mënyrë të paligjshme.
Procedohen penalisht 2 shtetas që u kapën duke luajtur lojëra fati, në ambientet e lokalit.
Sekuestrohen pajisjet që shërbenin për lojëra fati dhe bileta sportive.
Si rezultat i kontrollit të kryer në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll kanë zbuluar një lokal në qytetin e Bilishtit, ku organizoheshin lojëra fati. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-P. M., 45 vjeç, banues në Bilisht, administratori i lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjsjëm”;
-E. M., 26 vjeç, banues në Bilisht, menaxheri i lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E. U., 25 vjeç, dhe F. M., 23 vjeç, banues në Bilisht, të cilët u kapën në lokal, duke luajtur lojëra fati.
Nga hetimet rezultoi se 45-vjeçari kishte marrë me qira lokalin dhe kishte punësuar në mënyrë të paligjshme, si menaxher, shtetasin E. M. Në lokalin e përshtatur për veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, u gjetën pajisje elektronike që shërbenin për këtë veprimtari dhe disa bileta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
