Delvinë/Procedohen penalisht 3 shtetas të dyshuar për zjarrvënie

Delvinë/Ndezën zjarr në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kalasë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën banesa, një kishë dhe mijëra rrënjë ullinj në disa fshatra, nën hetim 3 autorët e dyshuar.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për dokumentimin e një prej rasteve me më shumë dëme të shkaktuara nga zjarrvëniet në qarkun e Vlorës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Delvinë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kanë vënë nën hetim 3 shtetas, për të cilët ka nisur procedimi penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve”, konkretisht:

• A. M., 56 vjeç, D. G., 60 vjeç dhe S. Ç., 34 vjeç, banues të tre në fshatin Kalasë, Delvinë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas, më datë 24.07.2025, rreth orës 02:00, kanë ndezur zjarr në një zonë të pyllëzuar në fshatin Kalasë, Delvinë, ku si pasojë e përhapjes së flakëve për disa ditë me radhë (24–28 korrik), zjarri ka depërtuar në fshatrat Senicë, Tatëzat, Vergo, Kopaçez dhe në malin e Galishtës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Nga verifikimet paraprake rezulton se janë djegur: 18 banesa (të banuara dhe të pabanuara) në fshatin Senicë, 1 kishë, rreth 20 000 rrënjë ullinj dhe 200 koshere me bletë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për të përcaktuar dhe provuar përgjegjësinë penale të çdo shtetasi të përfshirë në këtë ngjarje, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë së plotë ligjore të autorëve.

Vijon puna për verifikimin e plotë të të gjitha dëmeve të shkaktuara nga zjarri, në bashkëpunim me Bashkinë Delvinë dhe institucionet përgjegjëse.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi përveç dëmeve të mëdha në mjedis dhe pasuri, rrezikojnë jetën e njerëzve dhe do të përballen me ligjin.

Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo veprimtari të paligjshme.

#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit ✅
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve
#denonconë112 ✅