Bulqizë
Kreu parakalim të gabuar në aksin rrugor “Shupenzë-Maqellarë”, ndëshkohet me masë administrative, drejtuesi i automjetit, si dhe i zbriten 15 pikë nga leja e drejtimit.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Dibrës, pas publikimit të një videoje në faqen “Aksidente Rrugore”, në të cilën shfaqet një automjet që kryen parakalim të gabuar, kanë kryer menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Nga verifikimet e kryera, u identifikua drejtuesi i automjetit, shtetasi B.G. banues në Durrës, për të cilin në zbatim të neneve 174, 127 dhe 198 të Kodit Rrugor, u ndëshkua me masë administrative 40 000 lekë, si dhe iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit, për shkeljet e kryera.
Policia Rrugore e Dibrës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë, duke i garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform ligjit.