Bulqizë
Kanosën për motive konkurrence, shoferin e një linje furgonash për transport të qytetarëve, procedohet penalisht administratori dhe 2 djemtë e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”, për shtetasit M. Xh., 48 vjeç, V. Xh., 23 vjeç, K.Xh., 21 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Shtetasi M. Xh. (administrator i një linje furgonash për transport të qytetarëve), në bashkëpunim me dy djemtë e tij shtetasit V. Xh. dhe K.Xh., (shoferë të së njëjtës linjë), dyshohet se për motive konkurrence, kanë kanosur dhe tentuar të ndalojnë shoferin e një furgoni të një linje tjetër, shtetasin K.L.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, për shtetasin, K.L., 35 vjeç, banues në Peshkopi, (shofer furgoni i një linje tjetër për transport qytetarësh) pasi në tentativë për të mos ndaluar furgonin shtetasve të lartëpërmendur, ka aksidentuar lehtë shtetasin M.Xh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.