Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, një automjet, një motomjet dhe një sasi parash që dyshohet se është përfituar nga veprimtaria kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas ushtronin këtë aktivitet kriminal në qytetin e Beratit, organizuan punën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit Xh.B., 25 vjeç dhe A.M., 25 vjeç, të dy banues në lagjen Uznovë, Berat.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në periudha të ndryshme kohore, kanë ushtruar aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Beratit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, një automjet, një motomjet dhe një sasi parash që dyshohet se është përfituar nga veprimtaria kriminale e shitjes së lëndëve narkotike.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.