Berat – Procedohet penalisht pronari i një lokali, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”

Vijojnë kontrollet e pandërprera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Berat, në subjektet tregtare, për respektimin e protokolleve të sigurisë.

Procedohet penalisht pronari i një lokali, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Sekuestrohen disa pajisje muzikore të lokalit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat vijojnë kontrollet ndaj subjekteve që nuk respektojnë protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vijojnë aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike.

Nisur dhe nga shqetësimet e qytetarëve, se në lagjen “10 Korriku”, një lokal vendoste muzikë të lartë, tej normave të lejuara, forcat e Policisë shkuan menjëherë aty dhe pas konstatimit të muzikës së lartë iu komunikua pronarit të lokalit se duhet të ulte muzikën, gjë e cila nuk u zbatua pas largimit të punonjësve të Policisë.

Në këto kushte punonjësit e Policisë kanë shkuar përsëri për kontroll dhe në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronari i lokalit, shtetasi M. Ç., 51 vjeç, banues në Velabisht.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet muzikore të lokalit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.