Berat – Procedohet penalisht administratori i lokalit ku ushtohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit

Berat

Goditet një rast i organizimit të lojërave të fatit.

Procedohet penalisht administratori i lokalit në të cilin ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme.

Sekuestrohen 4 kompjutera dhe 2 tableta, që përdoreshin për vendosjen e basteve sportive.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie, në ambientet e një lokali.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin e shtetasit A. S., në lagjen “30 Vjetori”, ku kanë gjetur dhe kanë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 4 kompjutera dhe 2 tableta të cilat përdoreshin për vënien e basteve sportive në mënyrë të kundërligjshme. Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se aktiviteti bar-kafe ishte i paregjistruar në organet tatimore.

Në vijim të veprimeve procedurale u procedua penalisht në gjendje të lirë administratori i lokalit, shtetasi A. S., 19 vjeç, banues në lagjen “Çlirim”, Berat, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.