Berat – Prezantohet forca e posaçme “Shqiponjat” e DVP Berat

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit gjatë prezantimit të forcës së posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat

I nderuar z. ministër Lleshaj,
E nderuar prefekte e qarkut,
I nderuar kryetar i qarkut,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor dhe drejtues të insitucioneve,
Të nderuar drejtues e kolegë të DVP Berat,
Të nderuar përfaqësues të medias,

Ambienti i përzgjedhur nga drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat për të prezantuar këto vajza e djem të forcës së posaçme “Shqiponjat”, i jep një tjetër vlerë dhe dimension këtij takimi.

Sigurisë, faktorit më kyç për zhvillimin shoqëror në tërësi, i shtohet një garanci më tepër, siç është forca e posaçme që sot po prezantojmë, kjo falë mbështetjes së vazhdueshme të dhënë gjatë viteteve të fundit nga Kryeministri i vendit Edi Rama.

Qarku Berat në tërësi është një qark me kriminalitet të ulët, për 8 muaj ka vetëm një vrasje, asnjë tentativë vrasjeje, asnjë vjedhje me armë e dhunë dhe kjo falë përkushtimit dhe punës profesionale në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kriminalitetit në çdo fushë që ai shfaqet.

Por këto rezultate nuk janë vetëm produkt i Policisë, por edhe i mbështetjes dhe besimit që qytetarët e qarkut Berat kanë te Policia.

Denoncimet e bëra nga qytetarët për paligjshmërinë në këtë qark kanë qenë të larta, ndaj gjej rastin të falënderoj qytetarët për këtë mbështetje dhe besim të treguar te strukturat e Policisë së këtij qarku, duke i siguruar se strukturat e Policisë në të gjithë vendin janë të angazhuara për t’iu ofruar një shërbim sa më cilësor dhe një ambient shoqëror sa më të sigurt.

Të nderuar kolegë,

Të rinj në moshë, por edhe me elementë të rinj në uniformën tradicionale të Policisë, të pajisur me mjete e logjistikën e nevojshme, mos i shpërdoroni këto asete, as moshën, as uniformën e as komoditetin për të kryer detyrën.

Bëni më të mirën në zbatim të ligjit, shërbejini me dinjitet e profesionalizëm, me ndershmëri e përkushtim qytetarëve, se qytetarët janë aleati jonë më besnik, ai s’na tradhton kurrë, ndaj mos e tradhtoni e shpërdorni edhe ju kurrë besimin dhe mbështetjen e tyre.

Të nderuar pjesëmarrës,

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë përballuar dhe përballojnë me profesionalizëm e përkushtim një ngarkesë e volum pune të jashtëzakonshme, duke iu privuar shumë të drejta familjarëve të tyre dhe për këtë gjej rastin të falënderoj familjarët e të gjithë punonjësve të Policisë për mirëkuptimin dhe mbështetjen, por edhe për stresin që kalojnë gjatë kësaj periudhe të pandemisë, pasi punonjësit e Policisë janë më të rrezikuarit për t’u infektuar, sepse vetë detyra e tyre i pamundëson për t’u ruajtur si pjesa tjetër e shoqërisë.

Ndërkohë përfitoj nga rasti që përsëri t’ju kërkoj dhe të inkurajoj strukturat e Policisë në të gjithë vendin, për më shumë angazhim, për t’i dhënë një impuls të ri në muajt në vazhdim punës në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së krimit të organizuar e krimit në përgjithësi.

Ju faleminderit për përkushtimin dhe ju uroj punë të mbarë!