Policia Rrugore ndëshkon me masë administrative një subjekt që kishte zënë një sipërfaqe rruge në kundërshtim me Kodin Rrugor.
Në vijim të zbatimit të Plan-Inspektimit për zbatimin e ligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit, Policia Rrugore e Beratit ka konstatuar në rrugën Berat-Skrapar, një subjekt që kishte zënë sipërfaqen e karrexhatës së rrugës me disa paleta guri.
Polica Rrugore ka ndëshkuar me masë administrative subjektin në pronësi të shtetasit D. B., për shkelje të nenit 15, pika 1 dhe 2, germa f, i cili ndalon të hidhen ose grumbullohen materiale në karrexhatë.
Policia e Beratit do vijojë kontrollin e territorit dhe fton të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe zbatimin e ligjshmërisë për mbrojtjen e territorit.