Berat – Kontrolle për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor

Berat
Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore, duke përdorur dronë e patrulla të lëvizshme, të pajisura me automjete, kamera e aparatë fotografike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Si rezultat i kontrolleve, në të gjitha rrugët e Qarkut Berat janë konstatuar përsëri drejtues mjetesh që kryejnë shkelje të Kodit Rrugor.
Gjatë fundjavës, janë arrestuar në kushtet e flagrancës, 3 drejtues mjetesh nga të cilët, 1 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 1 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe një për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Janë vendosur 22 masa për parakalime të gabuara, 20 masa për përdorim të aparatit celuar gjatë drejtimit të mjetit, 21 për mos përdorim të rripit të sigurimit, 10 për mos përdorim të kaskës mbrojtëse si dhe 42 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë pezulluar 2 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe motomjeteve, mos kryeni parakalime të gabuara, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos përdorni celularin në timon, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, mbroni jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, zbatoni rregullat e qarkullimit që të arrini të sigurtë në destinacion, mos u bëni statistikë!
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.