Operacioni, për goditjen e armëmbajtjes pa leje, si dhe për parandalimin e vjedhjeve të banesave.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, të tre të dënuar më parë për vjedhje dhe dhunë në familje, si dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Sekuestrohen dy armë zjarri, 860 fishekë luftarak, sende të vjedhura dhe një shumë parash.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, krahas angazhimit maksimal për zbatimin dhe monitorimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për garantimin e rendit e sigurisë, evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë në cilëndo fushë që ajo shfaqet.
Në këtë kuadër, shërbimet e Komisariat të Policisë Berat, në bashkëpunim me DVP Berat, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Uznova”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Gj., 37 vjeç, dhe A. Sh., 29 vjeç, banues në Berat, të dy të dënuar më parë për vjedhje.
Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit A. Gj., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri automatike dhe 860 fishekë luftarak.
Shtetasi A. Gj. ishte shpallur edhe në kërkim policor, pasi kishte goditur me mjete të forta, për motive të dobëta, shtetasin L. Z., 33 vjeç, banues në Berat, jashtë rrezikut për jetën.
Po gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi i në flagrancë i shtetasit R. A., 23 vjeç, banues në lagjen ‘’Uznovë’’, Berat, i dënuar më parë për dhunë në familje, si dhe është proceduar penalisht shtetasi E. K., 17 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje.
Këta dy persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur orendi shtëpiake në banesën e shtetasit S. S., të cilat janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Po këta dy persona janë edhe autorët e vjedhjes së 10.000 lekëve të reja, të cilat i kanë vjedhur në fugonin në pronësi të shtetasit E. A., në lagjen ‘’30 Vjetori’’, Berat.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Vjedhja”.