Operacioni, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të DVP Berat.
Zbardhen dhe dokumentohen 3 vjedhje të ndodhura më parë.
Vidhnin në mënyrë të përsëritur, aparatet matëse të konsumit të ujit, vihet në pranga 21-vjeçari dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Procedohet penalisht administratorja e pikës së grumbullimit të skrapit, ku këta shtetas shisnin këto aparate.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të DVP Berat, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përsëritësi 2”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-R. L., 21 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. E., 37 vjeç, të dy banues në Uznovë, Berat.
Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja L. V., 53 vjeçe, administratore e pikës së grumbullimit të skrapit, për veprën penale “Përvetësim i sendeve të vjedhura”.
Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara, rezulton se shtetasit R. L. dhe A. E., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 26.06.2022, kanë vjedhur aparatet matëse të konsumit të ujit, në 3 banesa të ndryshme.
Pasi i vidhnin aparatet matëse, këta shtetas i shisnin në një pikë të grumbullimit të skrapit, e cila ishte në administrim të shtetases L. V., 53 vjeçe.
Në cilësinë e provës materiale, shërbimet e Policisë sekuestruan disa nga sendet e vjedhura.
Vijon puna për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasit A. E.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.