Berat/Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor antidrogë, i koduar “Qyteti”.
Dokumentohet veprimtaria kriminale e një 31-vjeçari të implikuar në shitjen në doza, të lëndës narkotike Cannabis Sativa, në Kuçovë.
Gjenden në automjetin dhe në banesën e tij: sasi (në trajtë boçeje) dhe doza Cannabisi, 5 peshore elektronike, 175 000 lekë, 1060 euro dhe shuma në valuta të tjera të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Si rezultat i një hetimi disajavor të ndjekur nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Berat, operacioni “Qyteti”.
Në kuadër të tij u vu në pranga shtetasi E. M., 31 vjeç, banues në Kuçovë.
Nga hetimet rezultoi se ky shtetas siguronte sasi Cannabis dhe e ndante në doza, me qëllim shitjen në zona të ndryshme të Kuçovës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.