Berat/Finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Procedimi”

Berat/Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda proaktive, finalizohet operacioni policor antidrogë, i koduar “Procedimi”.

Dokumentohet veprimtaria kriminale e 2 shtetasve, të cilët në mënyrë të përsëritur, shitnin lëndë narkotike në territorin e qarkut Berat.

Arrestohet një 43-vjeçar, të cilit iu gjetën në banesë, sasi Cannabisi dhe shuma parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Në hetim për të njëjtën veprimtari, një 31-vjeçar.

Si rezultat i hetimeve të ndjekura për disa muaj, në koordinim me Prokurorinë e Beratit, me objektiv identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Procedimi”.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi J. L., 43 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi Xh. M., 31 vjeç, të dy banues në Berat, pasi nga hetimet rezultoi se në mënyrë të përsëritur, kanë shitur doza Cannabisi në territorin e qarkut Berat.

Nga kontrolli në banesën e të arrestuarit, u gjetën sasi Cannabisi (e ndarë në doza të gatshme për shitje) dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga shitja e dozave.

Nga kontrolli në automjetin që drejtonte i proceduari, u gjet një sasi Cannabisi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.