Berat – Finalizohen me sukses gjatë 24 orëve të fundit, dy operacione policore, të koduara “Elektroaut” dhe “Përsëritësi”

Zbardhen 14 vjedhje të ndodhura më parë në qytetin e Beratit.

Arrestohet 40-vjeçari që dyshohet se ka kryer 9 vjedhje në disa automjete.

Një ditë më parë, në kuadër të operacionit “Përsëritësi”, u vu pranga 20-vjeçari i dyshuar si autor i 5 vjedhjeve, i cili ishte shpallur në kërkim për dhunë në familje dhe vjedhje.

Sekuestrohen disa nga mjetet që përdoreshin për të kryer vjedhjet, si dhe disa nga sendet e vjedhura në automjete.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale në DVP Berat, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Elektroaut”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Dh., 40 vjeç, banues në fshatin Lapardha, Berat.

Nga hetimet e kryera dhe provat e grumbulluara dyshohet se ky shtetas është autor i 9 vjedhjeve të ndodhura gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti.

Ky shtetas vidhte targat e automjeteve, karburant dhe aksesorë të tjerë të automjeteve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që autori përdorte për të kryer vjedhjet, si dhe disa nga sendet e vjedhura.

—————-

Gjithashtu, po nga Seksioni për Krimet, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”, u zbardhën dhe u dokumentuan me prova ligjore edhe 5 raste të vjedhjeve të ndodhura më parë.

Gjatë hetimeve të kryera dhe provave të grumbullura, rezultoi se autor i dyshuar i këtyre vjedhjeve është shtetasi E. L., 20 vjeç, banues në lagjen Uznovë, Berat, i ndaluar ditën e djeshme, pasi kishte tentuar të godiste me mjet të mrehtë babanë e tij, të cilit i kishte vjedhur disa orendi shtëpiake.

Shtetasi E. L., gjatë 3 muajve të fundit, ka kyer vjedhje në banesa dhe automjete të ndryshme, si dhe ka vjedhur sendet personale të një shtetasi.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, në fushën e vjedhjes së pronës.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.