Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.
Në pranga dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Policia Rrugore e Beratit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve dhe motomjeteve që shkelin rregullat e Kodit Rrugor dhe bëhen rrezik për aksidente.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. H., 51 vjeç, banues në Dimal dhe S. S., 22 vjeç, banues në Kuçovë, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motomjetet e tyre, pa leje drejtimi dhe pa dokumentacionin përkatës. Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 3 shtetas të tjerë, për veprën penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”.
Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. T., banues në Perondi, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe babait të saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.