Akademia e Sigurisë, institucioni i vetëm publik i edukimit dhe formimit profesional të brezit të ri të Policisë së Shtetit, ditën e djeshme, u përfaqësua për herë të parë në një garë ndërkombëtare, së bashku me kolegët dhe homologët e të gjithë rajonit, të zhvilluar në Pogradec.
“Maratona Enkelana”, nën organizimin e “Maraton Albania”, kishte si objektiv përshkimin e një distance prej 10 kilometrash dhe bëri bashkë për të garuar, atletë nga Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Greqia dhe Shqipëria.
Studentët pjesëmarrës të Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë treguan gjatë kësaj gare, përkushtim, profesionalitet dhe parametra të lartë të përgatitjes fizike, veçori për të cilat u vlerësuan me certifikata nga organizatorët.