Akademia e Sigurisë
Sot, u zhvillua ceremonia e diplomimit të 93 studentëve që përfunduan me sukses ciklin e parë “Bachelor” në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar urdhrat për emërimin e tyre në detyrë dhe dhënien e gradës policore “Nënkomisar”.
Gjatë ceremonisë, Drejtoresha e Burimeve Njerëzore e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Drejtues Anisa Duçkollari, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda, ka uruar nënkomisarët e rinj, për gradën policore dhe detyrën që do të kryejnë, të cilën duhet ta përmbushin me përkushtim dhe ndershmëri.
Rektori i Akademisë i ka falënderuar 93 studentët e sapodiplomuar, për disiplinën, dëshirën për të mësuar dhe përkushtimin që treguan përgjatë 3 viteve, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit të Krimit.
93 nënkomisarët janë emëruar në 12 qarqet e vendit, sipas nevojave organike të strukturave policore. Injektimi i impulseve të reja në strukturat policore do të ndikojë në rritjen e cilësisë së hetimit dhe performancës se Policisë në tërësi.