Akademia e Sigurisë
Akreditimi ndërkombëtar i Kolegjit Profesional të Formimit Policor, hap historik drejt standardeve të reja të arsimit policor në Shqipëri.
Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e Akademisë së Sigurisë, u dorëzua certifikata e akreditimit të Kolegjit Profesional të Formimit Policor nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Agjencive të Zbatimit të Ligjit – IADLEST. Ky moment shënon një arritje madhore për arsimin policor në vendin tonë dhe për Policinë e Shtetit në tërësi.
Në ceremoni morën pjesë Zëvendësministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rektori i Akademisë së Sigurisë, Rektori i Universitetit të Tiranës, Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Drejtori dhe Atasheu i ICITAP, Zëvendësshefja e Misionit në Detyrë e Ambasadës së ShBA, Drejtoresha e Përgjithshme e ASCAL, përfaqësues të tjerë të Policisë së Shtetit, të Ambasadës së ShBA në Shqipëri dhe të Akademisë së Sigurisë, si dhe kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor. Të gjithë pjesëmarrësit e konsideruan këtë certifikim si një arritje strategjike në funksion të rritjes së standardeve të trajnimit dhe edukimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë fjalës së tij, e cilësoi këtë akreditim si një dëshmi konkrete e përkushtimit për standarde ndërkombëtare dhe cilësi në formimin profesional të punonjësve të Policisë. “Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht ICITAP dhe IADLEST”, u shpreh ai, duke theksuar rolin vendimtar që kanë luajtur këto institucione në modernizimin e kurrikulave dhe në rritjen e cilësisë së arsimit policor.
Në fjalën e mbajtur në ceremoni, Zëvendësshefja e Misionit në Detyrë zj. Kathryn Hammond evidentoi rolin aktiv të Policisë së Shtetit në forcimin e partneritetit në fushën e zbatimit të ligjit. Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në emër të të Ngarkuarës me Punë të Ambasadës së ShBA zj. Nency VanHorn, zj Hammond u shpreh: “Policia e Shtetit dhe oficerët që trajnohen në Akademinë e Sigurisë janë tashmë pjesë e një standardi ndërkombëtar. Ata janë partnerët tanë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e komuniteteve tona, si në Shqipëri ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara.”
Në të njëjtën linjë, Zëvendësministri i Brendshëm vlerësoi akreditimin si një gur themeli për një polici moderne dhe profesionale. “Në themel të çdo shërbimi të mirë që ofron Policia qëndron një komponent bazë, arsimimi cilësor dhe me standarde të larta etike dhe profesionale. Një polici e mirë nis nga një arsimim i mirë”, theksoi ai. Zëvendësministri theksoi gjithashtu se ky certifikim vjen në një moment ku Shqipëria ka demonstruar kapacitete të larta në menaxhimin e tri ngjarjeve madhore brenda një jave, Giro d’Italia, Samiti i Komunitetit Politik Europian dhe procesi zgjedhor i 11 majit.
Ndërkaq, Rektori Mandro u shpreh: “Ky vlerësim maksimal dhe titulli “Ekselent” që na rreshton mes vetëm 4 akademive ndërkombëtare me këtë nderim, është një moment historik për Akademinë e Sigurisë. Jemi thellësisht mirënjohës për besimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kjo arritje është fryt i përkushtimit të palodhur të stafit tonë akademik dhe administrativ, një dëshmi se kur punohet me vizion dhe seriozitet, standardet më të larta jo vetëm që arrihen, por dhe tejkalohen.”
Akreditimi ndërkombëtar i Kolegjit Profesional të Formimit Policor do t’i shërbejë drejtuesve, stafit dhe studentëve të Akademisë së Sigurisë, si një motiv i lartë për të vijuar me angazhim maksimal rrugën e profesionalizmit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, për forcimin e sigurisë publike.