Tentuan të fusnin heroinë në ambientet e IEVP-së, arrestohen 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Krimet arrestuan në flagrancë shtetasit: M. D., 24 vjeç, banues në Kuçovë (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”) dhe A. M., 19 vjeç, banues në Berat.
Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në flagrancë duke tentuar të fusin lëndë narkotike në IEVP Berat. Punonjësit e IEVP Berat, gjatë kontrollit të ushtruar në rrobat që këta shtetas po i dërgonin një të arrestuari, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike heroinë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.