Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Fier – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Shënjestra”. Operacioni për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta. Në pranga 3 shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër, si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen rreth 1,4 kg Heroinë dhe 1 kg Kokainë. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u finalizua me sukses operacioni policor antidrogë i koduar “Shënjestra”. Gjatë operacionit u godit një grup i cili ushtronte aktivitetin kriminal të përpunimit dhe shitjes së lëndëve të forta narkotike Heroinë dhe Kokainë në qytetin e Fierit dhe në qytete të tjera. Si rezultat i operacionit, në banesat e këtyre shtetasve u gjet dhe u sekuestrua rreth 1,4 kg lëndë narkotike e dyshuar Heroinë dhe rreth 1 kg lëndë narkotike e dyshuar Kokainë. Një pjesë e Heroinës ishte e ndarë në doza të vogla gati për shitje. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe 1 armë gjahu pa leje. Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve I. T., 47 vjeç, banues në Bishanak, Fier (i dënuar më parë për grabitje me dhunë), G. T., 22 vjeç (djali i I. T), banues në Bishanak, Fier dhe T. T, 51 vjeçe (kunata e I. T.), banuese në Bishanak, Fier. U proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë dhe vijojnë hetimet për të parë implikimin e tyre në këtë veprimtari kriminale. Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Z. T., 55 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor i shtetasve të arrestuar për këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Vlorë – Goditet një tjetër rast në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni i koduar “Silenciatori”. Sekuestrohen 2 dy armë zjarri me silenciator dhe 240 doza kokainë. Në pranga poseduesi i tyre. Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe goditjen e rasteve në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Silenciatori”. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit B. B., 23 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas u kap në flagrancë në një rrugicë në lagjen “Pavarësia”, me një sasi dozash Kokaine, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri “Pistoleta” me silenciator, një sasi tjetër me doza Kokaine, gjithsej 240, si dhe një peshore elektronike. Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 113 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 15 janë ndaluar dhe 78 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 2 në qarkun Shkodër, 1 i dënuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i narkotikëve”, 1 i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim; 1 në qarkun Durrës, i dënuar për veprat penale “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Kanosja”, e kryer në bashkëpunim; 1 në qarkun Korçë, i dënuar për veprën penale “Mashtrimi”; 1 në qarkun Vlorë, i dënuar për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Fier, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Durrës, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës dhe 4 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor të ndaluar dhe 1 rast në qarkun Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 4 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 19 raste, konkretisht: 3 raste në qarkun Tiranë, me 1 autor të ndaluar dhe 2 që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Durrës, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Berat, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Fier, me 2 autorë të ndaluar. Për 13 rastet e tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në qarkun Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, të cilët janë arrestuar.
Janë evidentuar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në qarkun Tiranë, të cilët janë arrestuar dhe 1 në Durrës, i cili po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 17 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 4 në Durrës, 1 në Korçë, 3 në Vlorë dhe 7 në Shkodër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, 1 në qarkun Tiranë dhe 3 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Shkodër dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në Durrës, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.