Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Në vijim të këtij operacioni goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Transportonin 8 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i tyre. Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve K. P., 26 vjeç dhe B. B., 24 vjeç, banues në Tiranë, si edhe u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 27 vjeç, banues në Rëshen. Shtetasit e mësipërm, janë konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në aksin rrugor Maliq-Lozhan, me dy automjete tip “Benz”, me të cilët po transportonin kundrejt fitimit në drejtim të Tiranës, 8 emigrantë të paligjshëm. Gjatë ndjekjes, këta shtetas nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, por më pas dy prej tyre u kapën e neutralizuan. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Elbasan – Qarkullonin me armë zjarri në mjet, nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, arrestohet në flagrancë pasagjeri dhe shpallet në kërkim drejtuesi i mjetit. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me 7 fishekë. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, Forca e Posaçme “Shqiponja”, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Fiat”, me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin J. Xh. Pas shenjës për ndalim, këta shtetas nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por janë larguar me shpejtësi dhe në ecje e sipër kanë hedhur nga dritarja e mjetit të tyre një send të fortë duke e dëmtuar mjetin e Policisë. Në tentativë për t’u larguar kanë hedhur në rrugë dhe një armë zjarri pistoletë. Në përfundim të veprimeve hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi J. Xh., 31 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u bë shpallja në kërkim e drejtuesit të mjetit, shtetasit E. K. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me 7 fishekë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.
Tiranë – Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Kapet dhe arrestohet, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 33-vjeçar. Operacioni nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në Tiranë, u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar T. S., 33 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Brescias, Itali, i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i narkotikëve” dhe “Pjesëmarrje në grupe kriminale”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Durrës – Finalizohet operacioni i koduar “Shtegtari”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit. Arrestohet në flagrancë një 44-vjeçar, i dënuar më parë me 16 vjet burg, për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Sekuestrohet mjeti me të cilin po transportonte disa shtetas sirianë dhe një aparat celular. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme nga Strukturat e DVP Durrës, për goditjen e paligjshmërisë, specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme finalizuan operacionin policor të koduar “Shtegtari”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. F., 44 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë me 16 vjet burg, për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë në autostradën Krujë-Laç, duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen”, 5 shtetas sirian, emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale materiale u sekuestruan mjeti tip “Volkswagen” dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 101 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 76 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Vlorë dhe 1 në Elbasan; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 raste i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të ndaluar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 12 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 12 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Elbasan, 3 në Berat dhe 1 në Dibër dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të vjedhjes së energjisë elektrike,1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 3 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vepra të turpshme”, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, 3 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë evidentuar 5 raste të “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 3 në Tiranë, me 1 autori të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Gjirokstër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në Tiranë.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Dibër, 1 në Berat, 1 në Vlorë, 2 në Gjirokastër dhe 3 në Korçë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.